Udhëheqja fillon me njohjen e vetes…

Kur më kërkohet të marr një rol udhëheqje, përjetoj dy emocione: jam i gëzuar që më kërkojnë të udhëheq dhe jam në ankth nëse jam në gjendje të bëj një punë të mirë.

Njëherë thashë po për një propozim në një rol udhëheqje dhe pastaj menjëherë më pas kisha ndjenjën e tmerrshme se nuk do t’ia dilja mbanë. Ajo lloj ndjenje zgjati për muaj të tërë ndërsa përgatitesha për rolin.

Por në të njëjtën kohë, një varg nga Bibla më vinte vazhdimisht në mendje. Ndoshta Zoti po përpiqet të më kujtojë diçka, mendova. Meditimi mbi atë pasazh më bëri një drejtues më të mirë, ose të paktën më bëri të ndihem më mirë rreth udhëheqjes. Gjithsesi, ma lehtësoi pak barrën!

Ky pasazh ishte nga Letra e Romakëve 5:8: “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.” Ky varg më kujtoi se si njerëz jemi me vlerë të pakrahasueshme përpara Perëndisë. Mund ta shkruaj me fjalët e mia në këtë mënyrë: “Por Perëndia e tregoi se sa shumë vlerë kemi për të; ndërsa nuk kishim asgjë për të ofruar, Jezusi u bë Perëndia-Njeri që të na tregonte vlerë, madje edhe të vdiste për ne.”

Kështu, nëse kam vlerë të paçmueshme për Zotin, përse përpiqem vazhdimisht të gjej vlerë në gjëra të tjera? Përse e gjej vlerën tek mendimet e të tjerëve rreth meje? Perëndia tashmë e ka treguar vlerësimin e pandryshueshëm dhe të thellë për mua.

Ai çast më ndryshoi. U ndjeva i lirë. I lirë të jetoj ashtu si më ka krijuar Zoti dhe të mos përpiqem të drejtoj në një mënyrë që iu bën përshtypje të tjerëve. Pikëpamja ime për të tjerët ndryshoi. Fillova të shkoj të tjerët si njerëz me vlerë, duke filluar nga një njeri i pastrehë e deri te Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – duke përfshirë edhe të tjerët mes këtyre dy ekstremeve. Të gjitha bartim imazhin e Perëndise. Ndoshta nuk veprojmë si të tillë e as besojmë se jemi të tillë, por udhëheqja vetëmohuese i ndihmon njerëzit që të duken gjithmonë e më shumë si i ka krijuar Zoti që të jenë.

Udhëheqja vetëmohuese fillon duke gjetur identitetin tonë. Nëse vlerësimi për veten vjen nga diçka ose gjithçka që s’ka lidhje me Jezusin, atëherë, sipas së vërtetës së shprehur te Mateu 6:25, do të përjetojmë ankth, dhe pastaj do t’jua transmetojmë këtë ankth edhe atyre që i drejtojmë. Sapo fillova të besoj njësoj si Perëndia mendon për mua në vend që të merrja në konsideratë mendimet e të tjerëve rreth meje, ky ankth pothuajse u zhduk.

Motivimi im ndryshoi: nga fokusi që unë të isha një udhëheqës i mirë, fokusi shkoi te dëshira për t’ia parë të tjerët që të shijonin lirinë që sapo kisha filluar ta shijoj edhe vetë. Dhe pastaj doja t’i udhëhiqja njerëzit drejt zbulimit të potencialit të plotë që iu kishte dhënë Perëndia, si njerëz të krijuar në imazhin e Tij.

Si udhëheqës, duhet të pyesim veten: a po kërkojmë të nxjerrim në pah potencialin e dhënë nga Zoti te njerëzit që drejtojmë? Apo jemi të fokusuar te aftësitë tona dhe arritjet tona përmes njerëzve? Nëse përgjigja ka lidhje me fokusin te vetja, atëherë kërko në zemrën tënde rreth burimit të gëzimit, që ka shumë mundësi të mos jetë vetë Zoti. Ndoshta je i fokusuar te dukja, ose mendimet e të tjerëve për ty, ose siguria jote dhe rehatia jote? Cilado që të jetë, ungjilli ofron një zgjidhje më të mirë. Dhe ndërsa pasurohesh më shumë me ungjillin, do ta kuptosh që udhëheqja jote do ta reflektojë këtë pasuri.

Nga Josh Chen.

Artikulli është shkruar për faqen e web-it të organizatës CRU (të njohur në Shqipëri dhe Kosovë me emrin Instituti Jeta e Re) dhe gjendet në versionin origjinal në këtë link.