Ese nga Mirela Tafili – Çmimi i Dytë

Shënim: Po botojmë esetë pjesëmarrëse në konkursin e organizuar nga Botimet Jeta e Re. Esetë janë dërguar nga individë me profesione të ndryshme, nga disa prej qyteteve të Shqipërisë dhe për arsye të korrektësisë me publikun, po i botojmë esetë siç kanë ardhur pa redaktime. Gjithsesi, ju ftojmë të shijoni përsiatjet e këndshme të autorëve të eseve ndërsa kanë lexuar librin “Zot, Gënjeshtar, apo i Çmendur”.

Eseja e mëposhtme ka fituar çmimin e dytë në konkursin e Botimeve Jeta e Re, të organizuar në Vjeshtë 2011 (200 Euro).

“Zot, gënjeshtar apo i çmendur?” Është një pyetje që intrigon çdo lexues kur e sheh në vitrinë këtë libër, por më tepër intrigon atë që është në kërkim të paqyrës së duhur për të parë dhe kuptuar vetveten. Sigurisht që unë e dija përgjigjen, por një kuriozitet paksa i veçantë më shtyu ta merrja në dorë librin dhe ta lexoja me ëndje. Nuk e di pse m’u duk sikur faqe pas faqeje dëgjoja trokitjen e një çekiçi dhe pata ndjesinë sikur po ndërtohej diçka. Nuk e di pse m’u duk sikur e njihja zërin e Xhoshit ( i drejtohem kështu si një miku të mirë e të afërt) dhe heshturazi hyra në një bisedë të ngrohtë me të. Ai më tregonte dhe unë i tregoja. Ai më pyeste dhe unë i përgjigjesha. Por mendimet që më vërtiteshin më shumë në mendje lidheshin me fjalët e Jezusit: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde (Mateu 22:36-37)”. A shkonte zemra ime në harmoni me mendjen?

Më kujtohet që kur kam qenë rreth 12-13 vjeçare gjumi më trazohej nga mendime të frikshme. Kisha dëgjuar për njerëz që vdisnin, por si të mos mjaftonte kjo, një ditë gjyshja ime më kërkoi ta shoqëroja në varrezat e qytetit. Nëna jetonte në një qytet tjetër dhe mua më erdhi keq t’i thoja jo. Edhe sot i mbaj mend pllakat e varreve, madje edhe disa mbishkrime mbi to, të cilat nëna ime donte t’ia lexoja. U trondita dhe doja të qaja me ulërima. Dhimbja e njerëzve për vdekjen e të afërmve të dashur ishte shprehur në mënyra nga më të ndryshmet: me vargje, fjali të thjeshta, fotografi, zbukurime etj,. Natën në ëndërr pashë varre. Pyetje pa përgjigje më shoqëronin ngado ditën dhe natën: Ç’ishte vdekja? Pse njerëzit vdisnin? Si mundej që dikush që deri një ditë më parë fliste, qeshte, këndonte, vdiste dhe varrosej nën tokë? Si nuk merrte më frymë? Kisha harruar të shijoja bukurinë e atyre ditëve fëminore duke sjellë në kokë pyetje dhe mendime të errëta. Përgjigje s’gjeja. Mësuesja e biologjisë fliste për Darvinin, por majmunët nuk më dhanë asnjë përgjigje gjithashtu. Ndodhi që pikërisht atëhere motra ime filloi të angazhohej me kishën në Korçë. Ndonjëherë shkoja dhe unë të dielave me të. Shpejt kuptova që ato orë të kaluara aty dhe më pas në Kishën e Tiranës ishin përgjigjja e heshtur dhe më e qartë që e kisha pritur aq gjatë. Kur ndodhesha brenda në Kishë më pushtonte një qetësi dhe dëshirë e madhe për të punuar, për të komunikuar me njerëzit, një ndjenjë çlirimi që zgjaste disa ditë. Dhe unë ndjeja dëshirën për të shkuar përsëri aty.

Ështe shumë e thjeshtë. Ka vetëm dy rrugë:

- t’ia atribuosh krijimin tënd rastësisë dhe kështu të pranosh që je thjesht një element në natyrë që lind dhe vdes duke ardhur nga hiçi për të shkuar në hiç.

ose

- t’ia atribuosh krijimin tënd Zotit dhe të pranosh që je krijesë e rëndësishme e Tij për të cilin Ai kujdeset para dhe pas vdekjes duke të udhëhequr drejt së përsosurës, të mrekullueshmes.

Personalisht unë nuk ia lë dot veten rastësisë. Është e pakuptimtë për mua. Ndërkohë që të di që Dikush më ndjek në çdo hap, më vëzhgon, kujdeset, më ndihmon dhe më këshillon drejt suksesit është më shumë se e kuptimtë. Është e mrekullueshme. Në jetën time kam patur rastësi, udhëkryqe zgjedhjesh dhe kam zgjedhur, sigurisht. Tani jam në një moment të jetës ku me zë të lartë pohoj se Zoti asgjë nuk e vendos para nesh në jetën tonë rastësisht.E gjitha është një plan i detajuar mirë. Përgjegjësia e realizimit është vetëm e jona. Nëse kemi bërë zgjedhjen e duhur, plani i Zotit për ne është realizuar më së miri. Nëse s’kemi zgjedhur si duhet? Duhet të guxojmë të zgjedhim përsëri. Besimi të nxjerr gjithmonë në rrugën e madhe. Ja se si dola në një pikë me filozofin Tomas Akuinas. Etjen për kuptimin dhe lumturinë e shova vetëm tek besimi në Perëndinë.

Hapi i parë për të pranuar besimin tim tek Perëndia ishte biseda me motrën time të krishterë. Sigurisht që biseda e parë me të nuk qe frutdhënëse. Unë dhe motra ime debatuam gjatë. Dhe ky debat vazhdoi shumë kohë. Ndërkohë e ndjeja që s’kisha më argumente për të kundërshtuar motrën në mënyrën si ajo e trajtonte ekzistencën e Zotit dhe besimin tek ai. Por heshturazi ndjeja gjithashtu që ato që thosh motra ime sa vinte dhe më pëlqenin më shumë. Kështu vendosa të shkoj në kishë. Ishte bukur të shihje njerëz të të gjitha moshave që mblidheshin dhe këndonin bashkë këngë të cilave nuk u dija as tekstin e as muzikën, por që gjithsesi më përfshinin ëmbël. Ishte bukur gjithçka thuhej, mendohej dhe ndjehej aty. Të gjithë ata njerëz më dukeshin si një familje e madhe, ku secili kujdesej për tjetrin dhe të gjithë për të gjithë. Bezdisës? Jo, nuk i shoh dot si të tillë këta njerëz.

Shpejt u ndodha në debate me shoqet e mia që nuk besonin apo ndiqnin traditën familjare të besimit. Më ka mbetur në kujtesë një debat me një kolege pune, e cila mendonte se ishte besimtare. Ajo u shpreh se mund të gabonte sa herë të donte dhe mjaftonte të shkonte në kishë për t’iu falur gjithçka. Nuk u besova veshëve. Ajo vajzë kishte kohë që shkonte në kishë, por nuk kishte kuptuar asgjë nga fjala e Perëndisë. Ajo mendonte se kisha ishte vendi ku një herë në javë shlyheshin mëkatet, dhe madje nuk e kishte fare idenë e Krishterimit. Ajo nuk e dinte që Krishterimi është Perëndia që vjen tek ne nëpërmjet Jezu Krishtit.

Edhe unë vetë këtë e ndjeva më fort kur pashë për herë të parë filmin që tregonte historinë e Jezusit. Momenti i kryqëzimit të tij ishte më shumë se tronditës për mua. Ishte i dhimbshëm, tmerrësisht i dhimbshëm. Ndërkohë kisha lindur fëmijët e mi dhe kryqëzimin e Krishtit e përjetova dyfish. Mendova si do reagoja unë po të shihja djalin tim të kryqëzohej. Nuk gjeta dot fjalë për ta përshkruar. Atëhere kuptova sa e madhe ishte dashuria e Perëndisë për ne njerëzit që lejoi të ndodhë diçka e tillë me Birin e Tij. Ishte mësimi më i përkryer që i tejkalonte kufijtë e njerëzores, por dhe ishte njëkohësisht më njerëzori. A do mbeteshin indiferentë njerëzit pas kësaj? Sigurisht që jo. Për fat të keq interesimi u orientua në dy kahe.

Jezusi tha se ishte hyjnor. Ai e paraqiti veten si e vetmja rrugë e shpëtimit dhe i vetmi burim i faljes së mëkateve. Njerëzit e dinin që këto gjëra mund t’i shpallte vetëm Perëndia për Veten. E pra, njerëzit kuptuan që për të arritur te Perëndia duhej së pari të pranonin që Jezusi ishte Biri i Tij dhe që Ai u kryqëzua për të mundësuar faljen e mëkateve të njerëzve para Perëndisë. Por edhe pse njerëzit e dinë këtë, shumë prej tyre e kanë problem të diskutojnë rreth kësaj teme. Madje këta njerëz e kanë më të lehtë të flasin për Perëndinë sesa për Jezusin. Unë mendoj se ka shumë arsye për këtë dhe njëra prej tyre do të ishte teoria e pasqyrës. Paqyra është objekti të cilit nuk mund t’i fshihemi kurrsesi, është sendi ku shohim të pasqyruar besnikërisht pamjen tonë: flokët e pakrehur, sytë e skuqur nga pagjumësia, buzën e enjtur nga temperatura, këmishën e kopsitur shtrembër, apo pamjen prej njeriu të kënaqur. E pra, Jezusi është pasqyra ku ne shohim të pasqyrohet shpirti ynë, është pasqyra ku ne mund të krenohemi, por edhe mund të ulim sytë të turpëruar. Jezusi është përballja personale dhe e drejtpërdrejtë me Perëndinë. Është më e lehtë të bisedosh me Perëndinë që na sheh, por nuk e shohim, apo me Jezusin në kryq? Sigurisht e para. Prandaj shumë njerëz ulin sytë dhe heshtin kur u përmend Jezusin. Për njeriun hapi i parë drejt Perëndisë është të pranojë se është mëkatar dhe të ketë guximin të shohë me zemër të hapur Jezusin. Unë e kam hedhur e sigurt këtë hap.

Lexoja librin “Zot, gënjeshtar apo i çmendur” dhe më mbeti në mendje reagimi i udhëheqësve hebrenj pasi Jezusi kreu një shërim të shtunën. Sa më shumë shtoheshin rastet në të cilat Jezusi shpallte hyjninë e tij, aq më e ashpër bëhej sjellja e hebrenjve ndaj tij. Të them të drejtën lexoja dhe nuk e kuptoja pse ndodhte kjo. Mosbesim nuk ishte, sepse hebrenjtë kishin kulturën dhe besimin e duhur për të interpretuar fjalët e Jezusit, kur shpallte se ishte Biri i Perëndisë. Më pas fillova të mendoj se ishte xhelozi. Sa më shumë që bindeshin për identitetin e Jezusit, aq më egër gjykatësit silleshin me të. Dhe pastaj erdhi kryqëzimi. Gjykatësit e tallën “Ai ka besuar në Perëndinë. Le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: “Unë jam Biri i Perëndisë”. Duket qartë që në këtë situatë vetëm brerje ndërgjegjeje nuk ka. Tallja nuk ka lidhje me ndërgjegjen. Tallja është shfaqja më e shëmtuar e xhelozisë. Këta gjykatës do donin të ishin të gjithë në vend të Jezusit, por ishin thjesht njerëz që shihnin me xhelozi se si popullariteti i tij rritej çdo ditë. Duke mos qenë si ai zgjodhën ta mohonin, duke mos e kuptuar se pa dashur po pohonin fuqishëm të kundërtën, të vërtetën e qartë si drita e Diellit: Jezusi ishte Biri i Perëndisë. Dhe përsëri, duke lexuar mendova: Nuk do doja të isha në vendin e asnjërit prej gjykatësve që gjykuan Jezusin. Ndryshe me ç’kurajë do qëndroja para Perëndisë duke i kërkuar faljen e mëkateve të mia, ndërkohë që i kisha gjykuar dhe dënuar me gjakftohtësi të plotë të Birin?

Po i referohem një fakti. Jezusi i tha të paralizuarit: “Mëkatet e tua të janë falur”, në vend që t’i thoshte: “Ngrihu dhe ec!” Domethënia është e qartë. Mëkatet e kryera kundrejt Perëndisë s’mund të falen nga askush tjetër përveç atij. Jezusi tha se e bëri këtë duke ushtruar kështu një të drejtë që i takonte vetëm Perëndisë. Para një dëshmie të tillë unë mendoj se hebrenjtë duhet të ishin gjunjëzuar para autoritetit të Jezusit dhe duhet ta kishin adhuruar Atë, por ata zgjodhën gabim. Gjithsesi rezultati ishte i njëjtë. Duke mohuar, gjykatësit s’bënë gjë tjetër veçse pohuan identitetin e Jezusit si Biri i Perëndisë.

Jo vetëm gjykatësit, por edhe njerëz të tjerë thonë që Jezusi ishte një mësues i mirë morali. Natyrisht që qëllimi përkon me atë të gjykatësve. Por si mund të ishte mësues i madh morali dhe me qëllim do t’i gënjente njerëzit në lidhje me pikën më të rëndësishme të mësimit të tij – identitetin e tij? Te Libri i Fjalëve të Urta kam lexuar: “Qëndroji besnik gruas sate dhe gjej në të gëzimin tënd”. Mendoj se ky është një mësim morali i veçantë lidhur me sjelljen njerëzore, i cili mbetet shumë aktual edhe sot. Jezusi ua mësoi pasuesve të tij, por për fat të keq shumë njerëz vazhdojnë të jenë të shurdhër ndaj një mësimi të tillë. Këtë e tregon numri i madh i divorceve me shkak tradhëtinë bashkëshortore. Pasojat? Familje të shkatërruara, fëmijë me probleme të rënda psikologjike, familje të reja me të ardhme të dyshimtë, sepse bashkëshortët vuajnë problemet e bartura nga fëmijëria, etj,. A do mundej një mashtrues i rëndomtë të jepte mësime të tilla morali që rezistojnë në shekuj duke mbetur mëse reale? Natyrisht që jo. Madje jo vetëm kaq. Jezusi nuk ishte vetëm shembulli më i lartë i virtytit, por edhe nxitësi më i madh i praktikimit të tij. Dhe për të përcjellë mesazhin e tij Ai zgjodhi pikërisht kombin hebre. Pse? Hebrenjtë ishin një popull monoteist me shumë kulturë dhe shumë fetarë. Vdekja e Jezusit u dekretua pa asnjë votë kundra nga Sinedri – këshilli i lartë kombëtar – i përbërë nga udhëheqës të shquar fetarë, duke përfshirë njerëz si Gamalieli, filozof i madh i shekullit të parë dhe nxënësi i tij i famshëm, Sauli i Tarsit. Është e qartë se kjo ishte dëshmia që Jezusi donte të jepte për veten. Ai e dinte që hebrenjtë do dinin të lexonin domethënien e mesazhit të tij dhe veprimi armiqësor i hebrenjve do të ishte pohimi më i fuqishëm i faktit që Ai( Jezusi) ishte Biri i të Bekuarit Perëndi, që Ai do të ulej në të djathtë të pushtetit dhe që Ai ishte Biri i Njeriut që do të vinte mbi retë e qiellit.

Jezusi nuk donte ta ndiqnin dhe t’i besonin atij si Perëndi. Fakti që Ai zgjodhi kombin hebre ku shkoi si një zdrukthëtar i zakonshëm në një fshat të humbur, në një vend aq të vogël nga sipërfaqja dhe popullsia, dhe aq besimtar në një Perëndi të vetëm, e vërteton më së miri këtë. Ndryshe, nëse do ishte gënjeshtar apo i çmendur, Ai do kishte shkuar në Egjipt ose Greqi ku njerëzit besonin në shumë perëndi dhe në shumë shfaqje të tyre. Por Jezusi nuk ishte as gënjeshtar, as i çmendur. Nëse do kisha jetuar në atë kohë besoj se do isha mahnitur nga dikush që fliste dhe vepronte në emër të dashurisë për njeriun duke i dhënë kuptim ekzistencës së tij, duke i treguar të vërtetën e ekzistencës së tij, madje në emër të kësaj dashurie vuajti në kryq për t’u dhënë njerëzve faljen e madhe. Përderisa mbas kaq shekujsh unë lexoj me ëndje historinë e Krishtit dhe i besoj asaj, mendoj se të isha dëshmitare e jetës së tij do të ishte universiteti më i madh për mua, të cilin do ta ndiqja me dëshirën më të madhe.

Megjithatë Universiteti i Jezusit ka 2000 vjet që është gjithmonë i hapur për këdo që ka dëshirë ta ndjekë. Dhe, dashur pa dashur, të gjithë universitetet e tjerë në botë janë mbështetës të tij, qofshin shoqërore apo shkencore. Shumë njerëz pretendojnë se shkenca është i vetmi burim i besueshëm i dijes njerëzore, por unë nuk mendoj kështu.

Në orën e biologjisë mbaj mend që një nga temat më të bukura për mua ka qenë pjalmimi i luleve. Mënyra se si bashkëvepronin thekët dhe pistili, era dhe bletët për të shpërndarë pjalmin ishte e përsosur. Më vonë vura re se e njëjta përsosmëri shoqëron gjithçka në natyrë për të përfunduar tek njeriu. Thelbi është i njëjtë – vazhdimësia e jetës bazohet tek çiftimi, shumimi. Dhe që të ndodhë ky proçes duhet të luhet e njëjta simfoni – simfonia e dashurisë. Në një dokumentar televiziv kam parë një luan që zgjodhi luaneshën e tij dhe luanët e tjerë që ruanin distancë prej tyre, njësoj si të ishin njerëz që respektonin çiftin e martuar. Papritur zemra ime e ushqyer me frikë prej këtyre egërsirave ishte zbutur prej një ndjenje të re, të paprovuar më parë. Dhe pyeta veten se mos ndoshta edhe kafshët kanë atë ndjenjën e mrekullueshme me emrin dashuri që na bashkon ne njerëzit. Pse jo? Vetëm se ne nuk dimë ende ta lexojmë, thashë përsëri me vete. Nuk di të ketë ndonjë shkencëtar që të shpjegojë shkencërisht “dukurinë” e dashurisë, apo harmoninë e raportit mes elementeve të të njëjtit lloj. Pyetjes “Ç’është dashuria” mendoj se i është përgjigjur saktë Lasgushi ynë i madh: Dashuria është ndjenja që të çon nga toka drejt qiellit ( në mënyrë metaforike të afron me Perëndinë).

Meqënëse jemi tek letërsia po ndalem pak këtu. Ne shohim çdo ditë filma në televizor që në qendër të tyre tyre kanë njerëz “heronj” që bëjnë çudira. Lexojmë çdo ditë libra dhe krijojmë me imagjinatë heroin tonë të mrekullueshëm që na shpëton nga rreziqet. Lexojmë për Trojën dhe shohim filmat që Hollywood krijon pa u lodhur për të. Çuditërisht unë lexoj Biblën dhe pyes: Pse regjisorët e Hollywood nuk realizojnë një serial të plotë mbi Biblën? Pse i ndruhen kaq shumë Jezusit? Duket sikur një frikë e padukshme endet nëpër botë. E kujt mund t’i ndruhemi më shumë se sa të vërtetës?! Po pse? Ne njerëzit flasim, luftojmë, reklamojmë pa fund projekte për një botë më të mirë. Por t’i tregojmë botës nëpërmjet një seriali filmik të vërtetën mbi Krishtin është projekti më i mirë. Njerëzit nuk do ëndërronin më kot personazhe abstraktë, ndërkohë që mund të zgjidhnin të ndërtonin jetën e tyre sipas urdhëresave të Jezusit. Atëhere bota do ishte vërtet një vend më i mirë për të gjithë. Jo më kot shkrimtari rus Fjodor Dostojevski tha që pa Zotin çdo gjë është e lejueshme duke nënkuptuar kështu një botë të zhytur në krim. Një botë pa standarte morale nuk ka si të jetë e duhura. Dhe nuk mund të ketë një standart moral pa Perëndinë.

Por duket që shumë njerëz janë të prirur të besojnë çdo lajm bombastik shkruar në gazeta, por e kanë shumë të vështirë të besojnë të vërtetën për Jezusin. Po sjell një shembull. Para disa kohësh gazeta “Standart” shkruante një artikull pë zbulimin e një race njerëzore të panjohur, 55 000 vjeçare. Bëhet fjalë për gjetjen e një dhëmbi dhe një pjese kocke të një gishti të kësaj race njerëzore të panjohur deri më sot në shpellën Ndenisovo të Siberisë. Studimet e kockave u kryen nga Universiteti i Harvardit. Sigurisht për studimin e tyre u përdorën analiza gjenetike. Edhe pse njerëzit e kanë marrë këtë informacion nga lajmet apo interneti janë të prirur ta besojnë, ndërkohë që janë skeptikë dhe i shmangen diskutimit të historisë së Jezusit. E pra, për të hedhur poshtë Biblën si të pavërtetë njerëzit duhet të hedhin më parë poshtë letërsinë e antikitetit dhe çdo histori të shkruar për personalitete të ndryshëm botërorë. Unë zgjedh të besoj tek shkenca, zgjedh të besoj tek historia, por më shumë se kudo zgjedh të besoj tek Bibla. Pse? Shumë e thjeshtë. Unë i besoj një teleskopi për të besuar që ekziston Saturni. I besoj Marin Barletit për të besuar që Skënderbeu ishte strategu i madh i ushtrisë shqiptare, i cili e udhëhoqi Shqipërinë drejt lirisë 25 vjet rresht. Por si mund të mos u besoj 11 njerëzve që vdiqën si dëshmorë, sepse shpallën dy të vërteta solide: ringjalljen e Jezu Krishtit dhe besimin se Ai ishte Biri i Perëndisë?! Cili njeri do vdiste për një gënjeshtër duke e ditur që ishte gënjeshtër? “Sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë e dëgjuar (vepra 4:20)citon autori. Miqtë e vunë re optimizmin e tyre dhe armiqtë vunë re guximin. Dhe sepse folën, u vranë me metodat më mizore të asaj kohe. Me sa duket çmimi që do fitonin (jo tokësor sigurisht) ishte i tillë që e kthente çastin e vdekjes në një prag që duhej kaluar, por me hapin e duhur. E që të hedhësh hapin e duhur duhet të harmonizosh mendjen me zemrën. Duket që këta apostuj zgjodhën të vulosnin dëshminë e tyre me gjakun e tyre. Mua më ka tronditur veçanërisht vrasja e Pjetrit i cili u kryqëzua me kokë poshtë me kërkesën e tij, si i padenjë për të vuajtur si Zoti i tij. E pra, Pjetri e mohoi Zotin disa herë gjatë gjyqit dhe më në fund e braktisi. Por diçka e ndryshoi krejt këtë frikacak, këtë arratiak të tmerruar në një luan të guximshëm për Jezusin. Duke qenë dëshmitar i ringjalljes së Zotit të tij ai besoi deri atje sa ishte gati të vdiste për besimin e tij. Dhe kështu vdiq. Shpesh ne njerëzit zgjedhim të jetojmë sipas dëshirave tona, duke shpërfillur vullnetin e Zotit. Por kur vdekja afrohet thërrasim Zotin të na falë. Pse duhet të presim këtë çast për të kërkuar faljen e Zotit? Pse të mos zgjedhim sa jetojmë mes të dashurve tanë, mes gëzimeve dhe hidhërimeve tona të pranojmë të Vërtetën e madhe mbi ringjalljen e Krishtit dhe të qenët e Tij Biri i Perëndisë?

E përshkruar kështu, vdekja e Palit nuk duket dhe aq e tmerrshme. Por kur lexova përshkrimin e kamzhikut që romakët përdornin për të fshikulluar njerëzit para se t’i kryqëzonin, sinqerisht jam tmerruar nga përmasat tragjike e mizore në të cilat mund të shfaqet njeriu. Ushtarët përdornin kamzhikë me rripa lëkure gërshetuar me sfera metalike thurrur në to dhe pjesë kockash të mprehta. Ishte e sigurt që me një torturë të tillë dhe me kryqëzimin më pas vdekja e njeriut ishte e sigurt. Cili burrë do guxonte të provonte këtë torturë mbi trupin e tij për një gënjeshtër që e dinte që ishte gënjeshtër? Askush. Jam e bindur që Pali guxoi në emër të mesazhit që ai dhe apostujt e tjerë shpallën njëzëri para njerëzve.

Por kush do guxonte veç Birit të Vërtetë të flijohej në një mënyrë të tillë mizore në emër të njerëzve duke shpallur se ishte i Biri i Perëndisë? Pse mos largohej i qetë tek Babai i vet duke injoruar njerëzit që e tallnin, e quanin gënjeshtar apo të çmendur? Sepse Ai, Jezusi, nuk ishte as gënjeshtar e as i çmendur. Perëndia e kishte caktuar Atë si të vetmen rrugë me të cilën njerëzit mund të kishin një marrëdhënie me Perëndinë. Ai ishte Zot. Kjo u duk në mënyrën si Ai erdhi në jetë, në Betlehem, nga një grua e virgjër. U duk në mënyrën se si nga një zdrukthëtar i thjeshtë u shndërrua në të vetëshpallurin si Bir i Perëndisë, u duk në fjalët që tha dhe mënyrën se si vdiq, u duk në ringjalljen tij dhe shfaqjen përgjatë 40 ditëve para më shumë se 500 ndjekësve të Vet njëherazi. Por më tepër u duk në arsyen e vdekjes. Jezusi vdiq për ne njerëzit , për të larë mëkatet tona para Perëndisë, ishte çmimi që pagoi Perëndia për të na falur ne njerëzit. Por Pali kërkoi ta kryqëzonin kokë poshtë si të padenjë për të vdekur njësoj si Zoti i tij. Nëse Pali mendoi kështu, çfarë mund të themi ne njerëzit e sotëm 2000 pas Krishtit? Duke e gjykuar veten fajtor ende i pagjykuar nga Perëndia, Pali e cilësoi të shenjtë mënyrën e kryqëzimit të Krishtit dhe veten të padenjë për të vdekur si Ai.

Një pohim i tillë para vdekjes është mahnitës. A do të guxonte sot dikush të vdiste kështu? 2000 pas Krishtit është goxha kohë. Teknologjia ka ndryshuar, kushtet e jetës janë modernizuar, por njerëzit janë po ata, besimtarë e jobesimtarë. Lufta mes tyre ka ndryshuar armaturën dhe uniformën, por në thelb mbetet e njëjtë. Në emër të Krishtit njerëzit vdesin, në emër të mosbesimit njerëzit vrasin të krishterët. Pastaj jobesimtarët kthehen në të krishterë. Tragjike, por e vërtetë. Ja pse më vjen përsëri ndër mend Dostojevski. Ja pse ai ka të drejtë. Edhe pse shkenca ecën përkrah besimit duke vërtetuar ato që në Bibël janë shkruan mijra vite më parë, edhe pse vërtetësia e Biblës nuk mund të vihet në dyshim, përsëri ka njerëz që zgjedhin të jetë verbër, të shurdhët, të pandjeshëm.

Perëndia ka më shumë se 2000 vjet që na thërret nëpërmjet Birit të Vet drejt rrugës, së vërtetës dhe jetës. Imazhi i Krishtit ka 2000 vjet që ngrihet para nesh tronditës, i dhimbshëm, tragjik, i adhurueshëm. Duhet vetëm të kemi guximin ta shohim, zemrën ta ndiejmë dhe mendjen ta pranojmë. Ai pret secilin prej nesh. Ai më pret mua. Dhe unë e gjeta guximin ta shoh, e ndjej në zemër dhe e pranoj me mendje. Ai është rruga, jeta dhe e vërteta ime. Ai është Zoti im. Vetëm se për të arritur tek ky pohim kyç në jetën tonë nuk mjafton vetëm një ditë, duhet ecur me kujdes për të gjetur shtegun e duhur që të nxjerr në rrugën e madhe, duhen ndjerë trokitjet e çekiçit, të cilat unë nuk po i dëgjoj më. Ajo ndjesia e fillimit sikur po ndërtohej diçka tashmë është shndërruar në një ndjenjë paqeje dhe sigurie të plotë. Bashkëbisedimi me mikun tim, Xhoshin, duket që na ka nxjerrë tek i njëjti vend. Jemi bashkudhëtarë tek e njëjta rrugë e madhe ku janë të mirëpritur të gjithë. Mirë se të vini!

Mirela Tafili

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>