Ese nga Artur Katuçi
Shënim: Po botojmë esetë pjesëmarrëse në konkursin e organizuar nga Botimet Jeta e Re. Esetë janë dërguar nga individë me profesione të ndryshme, nga disa prej qyteteve të Shqipërisë dhe për arsye të korrektësisë me publikun, po i botojmë esetë siç kanë ardhur pa redaktime. Gjithsesi, ju ftojmë të shijoni përsiatjet e këndshme të autorëve të eseve ndërsa kanë lexuar librin “Zot, Gënjeshtar, apo i Çmendur”.
RRETH LIBRIT “ZOT, GËNJESHTAR APO I ÇMENDUR”…
Nganjëherë një libër i tërë mund të përmblidhet edhe vetëm nga titulli i vet. Zakonisht libra të tillë shquhen për kthjelltësinë e autorit dhe janë të kërkuar përpara se të jenë të suksesshëm. Gjenerali i ushtrisë së vdekur mund të mos jetë libri ideal që çdo njeri do ta mbante te koka e krevatit, por titulli është aq i çuditshëm, i guximshëm dhe i frikshëm saqë lexuesit, domethënë ata që e pëlqejnë leximin e librave në përgjithësi, nuk mund t’i rezistojnë tundimit për ta lexuar, duke kuptuar kështu se kombinimi i këtyre pak fjalëve, bart gjithë dramën e romanit. Një ide gjeniale, të paktën për shumicën e dashamirësve të librave. Titulli qenka pra, ngandonjëherë, jashtëzakonisht kuptimplotë. Mendojeni pak këtë: “Zot, mashtrues apo i çmendur”. Shokues! Drithërues! Por duke qenë realitet tashmë, një libër me një titull të tillë, shpall një guxim të marrë të autorit. Të marrë, por jo të verbër. Një guxim që i vjen nga njohja me themel e argumentit.
A kanë frikë nga blasfemia të krishterët? A i druhen apo e sfidojnë atë në emër dhe në kërkim të së vërtetës? Janë pyetje që përgjigjen mund ta marrin në varësi të atyre që përgjigjen, por për MekDauell-in e librit tonë, ky lloj preokupimi duket nga më të parëndësishmit. Në fakt një shoqërim i tillë për fjalën “Zot”, mund të lebetisë shumë shpirtra delikatë që instinktivisht do nguteshin të formonin me dorë një kryq të madh në gjoks. Mirëpo meraku është i kotë sepse kjo është gjëja e fundit që autori ynë dëshiron të bëjë. Për MekDauell-in ky pseudo blasfemizëm është një shteg i vështirë që ia vlen të përshkohet për të zbuluar të vërtetën. Dhe ajo që mund të ishte kulmi i blasfemisë, pasi i shkohet rrugës deri në fund, kthehet në argument prej betoni. Po pra, nëse s’është as i çmendur dhe as mashtrues, mbetet të jetë Zot. Këtu s’ka më asnjë lloj blasfemie. Rrethi i arsyetimit u mbyll, zaret e hedhura në titull i nxorën numrat që për disa janë numra fitues dhe për të tjerë humbës.
Por ne e dimë që MekDauell-i ka pasur barrë të rëndë. Pasi ka kaluar momenti i parë i shokut të titullit, merret me mend gjithë pesha e pa peshueshme e trajtimit njerëzor të argumentit kozmik mbi Zotin dhe Birin e tij. MekDauell-i nuk i trembet mundimit të detyrës: ai ka për mision që të vërtetën (nganjëherë përvëluese) ta ndajë me të tjerët. Ta ndajë thjesht, por me sa më shumë efikasitet dhe ta ndajë tani sepse nesër mund të jetë vonë. Traktatet teorike metafizike nuk janë për militantët. Ato le t’i përtypin dhe t’i ri përtypin të urtët misteriozë (në fakt edhe udhët e Imzotit janë misterioze). Secili kontribuon me talentin që ka. Me pasionin dhe logjikën e shëndoshë. Dhe dhuntinë e shkrimtarit.
Veçse kujdes! Kjo s’do të thotë se ky mision i pamundur mund të ndërmerret vetëm nga talenti i shkrimtarit popullor. Jo, MekDauell-i është po aq filozof sa ç’është orator dhe fletët e librit janë plot me variacione filozofike. Por dozat janë të moderuara dhe melhemi është gatuar kujdesshëm me ëmbëltues me qëllim që t’u shkojë për shtat të gjitha shijeve dhe të asimilohet nga të gjitha madhësitë e stomakëve. Nëse përsëri nuk ndihesh i shëruar, faji s’është më i doktorit. Konkluzioni i librit i thënë me fjalë të tjera është se ose sëmundja në atë trup ishte në fazë të mbrame kur ilaçet s’bëjnë më derman, ose pacienti ka bërë hile gjatë marrjes së mjekimit. Fatkeqësisht ky trup është i destinuar të humbet. Dhe bashkë me të edhe shpirti. Për t’u menduar nga ata që kanë mend!
Këto çështjet e shpirtit janë të koklavitura. Si përçapjet njerëzore në përgjithësi. Një rrëmujë e vërtetë. Por ka mënyra për t’i qartësuar sado pak punët e shpirtërores. Feja ka qenë prej kohësh një oaz ku kanë shuar etjen shumë shpirtra të stërmunduar nga pse-të e ekzistencës. Që ky libër të bëhet një liman për anijen e lodhur nga oqeani i jetës, ka në fakt një kusht që e ndan atë nga të qenurit thjesht një libër fetar: të pranosh të vetmen rrugë të mundshme. Dhe të njohësh Zotin. Që nuk është as mashtrues dhe as i çmendur. Kaq është mesazhi. Kaq është sfida gjithashtu!
Për shumë vetë eksperienca që tregohet në libër, mund të ngjasojë me eksperiencat personale. Ky duhet të jetë njëri faktor i suksesit planetar të librit. Në kërkim të lumturisë, dikush hasi 10 kristianë neverisht të lumtur dhe një tjetër një njësit revolucionar bolshevik. Të dyja grupet, përveç lumturisë prej bindjeve, kanë edhe të përbashkëta të tjera: digjen nga pasioni, janë të aftë të japin jetën për atë që besojnë dhe janë këmbëngulës për triumfin e së vërtetës që kanë përqafuar. Personalisht për grupin e dytë që mora si shembull, më vjen keq sepse ka shumë pak mundësi që ai ta shohë idealin e vet të realizuar, por do të kalojë nga zhgënjimi në rrënim deri sa rroba e dikurshme e kauzës, t’i jetë bërë zhele.
Nga ky këndvështrim, me siguri që MekDauell-i është njeri fatlum që u ndesh me grupin e kristianëve të lumtur dhe jo me grupe të tjera të lumturish. Në fillim u përpoq t’i sfidojë. Nuk ka qenë i pari. Njerëzit sikur kanë dëshirë t’i sfidojnë ata që besojnë>Vetja u duket më të zgjuar dhe ata u duken pak naivë. Pastaj me mendje së pari dhe me zemër së dyti, u bë njëri nga ata. Nga ky pozicion e shkruan këtë libër duke dashur të ndajë me të tjerët përfundimin në të cilin arriti vetë pas studimit të një sërë dëshmish e ngjarjesh, pas analizimit të tyre dhe pas përpëlitjes së arsyes të zënë si flutur në rrjetë.
Për shumë gjëra mund të mos jemi të sigurt kur mbarojmë së lexuari këtë libër. Por për një gjë jemi të bindur: perceptimi ynë s’është më i njëjtë për disa elementë themelorë të krishtërimit si kryqëzimi, ringjallja dhe shlyerja e mëkatit. Konsekuenca racionale në trajtimin e domethënies së tyre, ka për shok vetëm mungesën e kompromisit oportunist për ta marrë me të mirë lexuesin. Një përshtypje po aq të thellë të bën edhe analiza e provave historiko-ligjore kur abuzivisht kërkohen të ashtuquajturat “prova shkencore”.
MekDauell-i e njeh mirë subjektin e tij. Është pasioni i tij, ideali, jeta e tij. Paradoksalisht vendosi të sfidonte ata të cilët do të bëheshin vëllezërit e tij. Por më parë shfletoi, studioi dhe analizoi një numër pa fund shkrimesh dhe autorësh të lashtësisë dhe modernë. Si prej formimit universitar, edhe për shkak të procesit të transformimit, MekDauell-i i njeh mirë gjithë ato personalitete të shquara dhe me emra hijerëndë. Për ta bërë librin e tij më bindës, por edhe për t’i parashtruar faktet me mbështetjen e sa më shumë njerëzve të urtë, referencat dhe citimet janë të panumërta.
Kur s’e ke lexuar librin e parë, nuk mund të flasësh me siguri për të. Por mund ta përfytyrojmë si një reagim më i natyrshëm, si një gurgullimë më e rrjedhshme ngaqë është e frymëzuar nga dëshira për të shpallur përsiatjet e mendjes dhe të shpirtit që s’po mundim t’i mbajmë më vetëm për vete. Në ribotimin e tanishëm, mendja na e do që ana spontane i ka lënë më shumë vend, anës savante. Libri nga një dëshmi për përvojën personale, ka marrë më shumë formën e një studimi për të cilin, referencat dhe citimet e njerëzve kompetentë janë shumë të rëndësishëm.
Në këtë vazhdë mund të themi se kapitulli i shtuar në ribotim nga MekDauell-i i riu, i shërben fortifikimit të anës argumentore, por e cenon ca kompaktësinë dhe koherencën e strukturës. Aq më tepër kur kontributi i tij lidhet më shumë në dhënien e provave për ekzistencën e një fuqie inteligjente krijuese të botës dhe jo me temën e lançuar në titull. Pas një kapitulli të tillë, ithtarët e feve monoteiste duhet të kishin shumë më tepër mirëkuptim se ç’kanë në realitet dhe duhet të ndiheshin më shumë vëllezër nën autoritetin e krijuesit At.
Këtu shfaqet edhe problemi i vlerave. Term shumë i vështirë për t’u zbërthyer në pak rreshta dhe për t’u kënaqur me një përkufizim në përgjithësi. Edhe më i komplikuar ngjan kur marrim parasysh disa llojesh prej tyre si vlerat e antikitetit greko-roman, ato judaike, judeo-kristiane, kristiane, islame… Lista mund të zgjatet po të shkojmë në Kinën mijëravjeçare për të mos folur pastaj për qytetërime të tjera të lashta dhe moderne. Shumë pyetje mund të shtroheshin në këtë mënyrë. Për shembull a përbën problem vetëm kundërvënia ndërmjet vlerave morale të krishtera kundrejt atyre të ateistëve, apo edhe ndaj vlerave të kulturave të tjera, e kemi këtë kundërvënie? Domethënë vetëm vlerat morale të krishtera janë vlera, ndërsa të tjerat janë pseudo vlera? Në fakt i gjithë kapitulli i debatit me ateistët e rinj nuk ka shumë dobi dhe i largohet efektit që titulli dhe trajtimi i tij kishte në libër deri atëherë. Nëse qëllimi ka qenë për të treguar sesa të ligj janë ateistët, mendoj se ai jo vetëm që s’është arritur, por përkundrazi ka bërë efektin e kundërt (si ajo miza nën kësulë që s’na lë rehat dhe kruhemi kur të tjerët s’dyshojnë për asgjë nën kësulën tonë). Gjykimi për ateistët të vjetër apo të rinj, nuk do rrjedh nga pozicionimi i tyre në këtë jetë si ateistë, por nga sasia dhe cilësia e kontributit të tyre në lëmin që kanë për zanat. Në jetën tjetër, vendi i tyre dihet. Nëse lufta kundër tyre përligjet sepse ata influencojnë për keq njerëzit e shkretë dhe i shtyjnë që të marrin rrugë të gabuar, kjo mbase s’duhet të kthehet në obsesion dhe të trajtohet sa herë del rasti.
Vërtet që kjo çështja e vlerave është e koklavitur, po aq e koklavitur sa çështjet e shpirtit. Edhe ato lidhen me shpirtëroren dhe janë të vështira për t’u shtënë lehtë në dorë (në letër më saktë). Ekzistenca e Zotit përligj ekzistencën e vlerave morale. Pa Të, ato s’do të kishin asnjë justifikim për të ekzistuar. Nazistët në Gjermani dhe komunistët në Shqipëri s’do të kishin bërë ato tortura dhe krime ndaj kundërshtarëve të tyre nëse do ta dinin se Ai tek i cili do të japin llogari një ditë, i sheh. Mbase jo. E shtruar kështu logjikisht asnjë njeri s’do të kryente veprime të dënueshme nga gjyqi i fundit. Domethënë çdonjëri do të zbatonte disa vlera. Po kështu edhe fëmijët nuk i kryejnë ca veprime në sytë e prindërve kur mendojnë se këta të fundit s’do të ishin të kënaqur, madje do t’i dënonin, por mund të ndodhë që mezi të presin që prindërit të kthejnë kurrizin që të zhgërryhen në lezet të mëkatit. Në fakt kjo s’është vlerë. Më mirë do të ishte (më vlerë do të kishte) sikur fëmijët të mos i bënin ca akte të dënueshme as në sytë e prindërve dhe as prapa krahëve të tyre. Vlera e parë në një rast të tillë do të ishte mungesa e hipokrizisë. E dyta integriteti. E treta ndershmëria. Për vlerat e tjera në radhë, do të gjykonim në varësi të atyre akteve që fëmija do të abstenonte t’i kryente sepse thjesht s’duheshin kryer.
Me gjithë këto fluturime në degë të tjera, në kokë të mbetet thelbi pasi e mbyll edhe faqen e fundit të librit. Thelb i fortë, i paharrueshëm dhe gërryes. I njëjtë me titullin. Veçse tani dimë më shumë. Nuk ka më vend për alternativa blasfemuese. Ka vetëm një mundësi: Ai është Zot.
Artur Katuçi